Si përllogariten emetimet

Google Flights shfaq përllogaritjet për emetimet e gazeve serrë për ciklin jetësor për numrin e pasagjerëve të zgjedhur pranë çdo fluturimi. Fluturimet janë etiketuar si me emetime të larta, të zakonshme, të ulëta ose të panjohura.

Nga e merr Google këtë informacion?

Google i nxjerr përllogaritjet e emetimeve duke përdorur versionin më të fundit të Travel Impact Model (TIM), një model që administrohet nga Google dhe që mbikëqyret nga një komitet këshillues me ekspertë kryesorë në fushën e aviacionit dhe qëndrueshmërisë. Modeli TIM është një model transparent dhe gjithmonë në zhvillim për përllogaritjen e emetimeve që është ndërtuar nga grupe të dhënash publike dhe të jashtme të licencueshme dhe që bazohet në arritjet më të fundit shkencore dhe standarde të njohura në nivel ndërkombëtar. 

Për më shumë informacione, shiko:

Emetimet për ciklin jetësor

Travel Impact Model llogarit ciklin e plotë jetësor të emetimeve të karburanteve të aeroplanëve duke përllogaritur emetimet nga nxjerrja deri te përdorimi. Emetimet nga nxjerrja deri te përdorimi janë shuma e emetimeve të realizuara nga prodhimi dhe transporti i karburanteve të aeroplanëve, si dhe emetimet e karbonit (CO2) nga djegia e karburantit gjatë nisjes, lëvizjes dhe uljes së aeroplanëve.

Përveç vlerës së CO2, modeli TIM konverton emetimet jo të CO2 në "ekuivalentin e CO2" (CO2e) në bazë të potencialit të tyre për ngrohjen globale.

Emetimet e zakonshme

Emetimet e zakonshme janë emetimet mesatare për itinerarin që ke kërkuar. Mesatarja llogaritet si vlera e mesme e të gjitha emetimeve të mundshme për itinerarin dhe merr parasysh fluturimet gjatë vitit të ardhshëm.

Përllogaritjet e emetimeve për secilin fluturim krahasohen me mesataren e itinerarit. Kjo është mënyra se si Google identifikon fluturimet me emetime më të larta, të zakonshme apo më të ulëta.

Për disa kërkime, mund të mos gjesh fluturime me "emetime më të ulëta". Kjo ndodh kur fluturimet në datat që ke kërkuar nuk ndotin më pak se mesatarja e itinerarit. Për të gjetur fluturime me emetime më të ulëta, provo data të ndryshme.

Emetimet të panjohura

Për disa fluturime, ne nuk disponojmë të dhëna për emetimet dhe as nuk mund të bëjmë një përllogaritje të përafërt. Kjo mund të ndodhë për një lloj shumë specifik avioni. Në këto raste, ne nuk do të shfaqim asnjë përllogaritje të emetimeve dhe fluturimi do të etiketohet si "emetime të panjohura".

Faktorët që kanë ndikim tek emetimet

Emetimet aktuale mund të ndryshojnë dhe varen nga faktorë të tillë si:

  • Modeli dhe konfigurimi i avionit
  • Shpejtësia dhe lartësia e avionit
  • Distanca midis vendnisjes dhe destinacionit
  • Numri i pasagjerëve

Për të kuptuar përllogaritjet e emetimeve që ne shfaqim, është e rëndësishme të dish:

  • Fluturimet pa ndalesa nuk janë gjithmonë më pak ndotëse, sidomos në itineraret e gjata. Është e mundur që një fluturim me disa ndalesa me një avion me efikasitet karburanti të emetojë më pak se një opsion pa ndalesa.
  • Avionët me kapacitet dhe interval të ngjashëm mund të kenë emetime shumë të ndryshme. Faktorët që kontribuojnë përfshijnë llojin e avionit ose strukturën e ndenjëseve që përdoret nga linja ajrore.
  • Për fluturimet drejt, nga dhe brenda SHBA-së, modeli përllogarit faktorët e ngarkesës së pasagjerëve duke përdorur historikun e të dhënave nga Departamenti i Transportit i SHBA-së. Për fluturimet jashtë SHBA-së, ne përdorim historikun e të dhënave të faktorit të ngarkesës nga ch-aviation kur disponohet. Për të gjitha fluturimet e tjera, përllogaritjet e emetimeve marrin parasysh një faktor të ngarkesës mesatare të industrisë të vitit 2019 (para pandemisë së koronavirusit (COVID-19)). Më shumë detaje rreth burimeve të të dhënave që ne përdorim dhe se si llogariten faktorët e ngarkesës mund të gjenden në dokumentacionin tonë të GitHub.
  • Përllogaritjet tona të emetimeve nuk marrin ende parasysh faktorë të tillë si drejtimi i fluturimit, përdorimi i karburantit ekologjik për avionët ose pesha e ngarkesës së avionit.

Efektet e tjera të ngrohjes nga fluturimi

Përveç lëshimit të CO2 në atmosferë, fluturimet mund të shkaktojnë efekte të tjera të ngrohjes, si p.sh. gjurmët e kondensimit. 

Në rajonet me nivel të lartë lagështie, avujt e ujit në ajër kondensohen rreth grimcave të blozës nga shkarkuesit e avionit dhe ngrijnë. Kjo formon gjurmë kondensimi të ngjashme me retë, ose shkurt gjurmë kondensimi. Shumica e gjurmëve të kondensimit zhduken shpejt, por për një fraksion të vogël të fluturimeve, kushtet atmosferike janë të përshtatshme për të prodhuar gjurmë të qëndrueshme kondensimi që përhapen, duke bllokuar nxehtësinë në atmosferë.

Kur merren parasysh gjurmët e kondensimit, ndikimi i fluturimit te ngrohja mund të jetë deri në 60% më i lartë nga sa përllogaritet bazuar vetëm te djegia e karburantit [Lee, 2021. CO2e/GWP100]. Megjithëse e dimë që vetëm rreth 10% e fluturimeve shkaktojnë shumicën e gjurmëve të qëndrueshme, parashikimi i formimit të tyre dhe atribuimi i ndikimit fluturimeve individuale është i vështirë - si p.sh. parashikimi i turbulencave disa javë ose muaj më përpara. Gjithashtu, nuk ka konsensus shkencor për mënyrën se si duhet të matet ndikimi për fluturimet individuale. Për këto arsye, kjo nuk përfshihet aktualisht në modelin e përdorur për përllogaritjen e emetimeve.

Google po punon me shkencëtarë, akademikë dhe ekspertë të industrisë për të bërë parashikime të besueshme rreth ndikimit të gjurmëve të kondensimit për çdo fluturim. Në përfundim, ne planifikojmë t'i përfshijmë këto parashikime në modelin TIM.

Përllogaritjet e emetimeve të trenave

Për të llogaritur emetimet për trenat, Google përdor një metodë që merr në shqyrtim kilometrat e përshkuar dhe numrin e pasagjerëve në kërkimin tënd. Trenat emetojnë mesatarisht 19 gramë CO2e për kilometër pasagjerësh, sipas IEA. Emetimet e sakta varen nga treni dhe operatori. Të dhënat e IEA përditësohen çdo vit dhe Google po punon për të marrë informacion të saktë nga operatorët e trenave.

Kërko
Pastro kërkimin
Mbyll kërkimin
Menyja kryesore
7850854585031531139
true
Kërko te "Qendra e ndihmës"
true
true
true
true
true
254
false
false